Raporti i Kredimarrësit

Raporti i Kredimarrësit është një dokument që gjenerohet nga Sistemi i Regjistrit të Kredive i Bankës së Shqipërisë dhe përmban të dhëna mbi identitetin e kredimarrësit dhe kreditë e marra prej tij në sistemin bankar e financiar. Të drejtën për t’u pajisur me Raportin e Kredimarrësit me qëllim njohjen e të dhënave të raportuara në Regjistrin e Kredive, e kanë kredimarrësit, personat e lidhur me ta ose trashëgimtarët e tyre sipas përcaktimeve të aktit përkatës rregullativ.

 

Si të marr Raportin e Kredimarrësit

Raporti i kredimarrësit mund të sigurohet nëpërmjet 2 rrugëve të mëposhtme:

1. Nëpërmjet shërbimit Online të sistemit të Regjistrit të Kredive

Nëpërmjet shërbimit online ofrohet:

a) aksesimi në raportin e kredimarrësit, duke siguruar njohjen me të dhënat e raportuara/ekspozimin kreditor në sistemin bankar e financiar;

b) njohja në çdo kohë e statusit të trajtimit të kërkesës së tyre;

c) reklamimi i pretendimeve lidhur më saktësinë/plotësinë e të dhënave të raportuara, drejtpërdrejt tek raportuesi përgjegjës i të dhënave; si dhe

d) kontrolli mbi saktësinë/plotësinë e të dhënave të raportuara.

Për të përftuar shërbimin online, individi/personi juridik ndjek procedurat e mëposhtme:

a) regjistrohet në faqen e Regjistrit të Kredive, në adresën: https://cr.bankofalbania.org

b) në adresën elektronike të vendosur në momentin e regjistrimit vjen një njoftim automatik që konfirmon krijimin e llogarisë së individit/personit juridik, shoqëruar me formularin e regjistrimit në sistem;

c) pas përfundimit të hapave të parashikuara në shkronjat “a” dhe “b”, individi/personi juridik paraqitet në Bankën e Shqipërisë dhe dorëzon formularin e regjistrimit, si dhe dokumentacionin shoqërues të nevojshëm;

d) paraqitja pranë Bankës së Shqipërisë bëhet brenda 10 ditësh nga momenti i regjistrimit (pas tejkalimit të këtij afati, regjistrimi në sistemin online konsiderohet i pavlefshëm dhe regjistrimi duhet kryer përsëri);

e) pas verifikimit të dokumentacionit të paraqitur, punonjësi përgjegjës autorizon aksesin në sistemin e Regjistrit të Kredive.

 

2. Me paraqitjen pranë Bankës së Shqipërisë     

Për t’u pajisur me raportin e kredimarrësit nga Banka e Shqipërisë, nevojitet të dorëzohen pranë Bankës së Shqipërisë (në zyrat e saj qendrore ose në degët e saj) formulari i kërkesës dhe dokumentacioni shoqërues i nevojshëm.

Formulari i kërkesës merret pa pagesë pranë Bankës së Shqipërisë ose mund të shkarkohet pa pagesë nga faqja zyrtare e Bankës së Shqipërisë.

Kërkesa për raportin e kredimarrësit do të konsiderohet e pranuar nga punonjësi përgjegjës i Bankës së Shqipërisë, nëse ajo paraqitet në përputhje me kërkesat e përcaktuara në rregullore.

 

Si të rishikoj /saktësoj të dhënat që pasqyrohen në Raportin e Kredimarrësit

Në rast konstatimi të dhënash të paplota dhe/ose pretendimesh lidhur me saktësinë e tyre, kredimarrësi paraqet fillimisht kërkesën për rishikimin/saktësimin e të dhënave tek raportuesi përgjegjës i të dhënave.  Nëse nga verifikimi i kryer nga raportuesi i të dhënave rezulton se të dhënat që kërkohet të rishikohen janë të sakta, por kredimarrësi nuk bie dakord me to dhe vijon të ketë pretendime lidhur me të dhënat e tij, ai mund të paraqesë kërkesën për rishikim pranë Bankës së Shqipërisë.

Kërkesa për rishikimin e të dhënave do të konsiderohet e pranuar nga Banka e Shqipërisë kur kredimarrësi ka dorëzuar formularin për rishikimin e të dhënave, si dhe dokumentacionin shoqërues të nevojshëm.