Pritshmëritë mbikëqyrëse për financat e gjelbra
Në bazë të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar Strategjinë “Për administrimin dhe mbikëqyrjen e rreziqeve financiare të lidhura me klimën në sektorin financiar gjatë 2023-2025”.
Bazuar në këtë strategji dhe planin e saj të veprimit, Departamenti i Mbikëqyrjes publikon udhëzuesin mbi pritshmëritë rregullatore për rreziqet financiare të lidhura me klimën dhe mjedisin për subjektet banka.
Ky udhëzues shërben si bazë për dialogun mbikëqyrës ndërmjet autoritetit dhe bankave, me qëllim integrimin e këtyre rreziqeve në kuadrin e përgjithshëm të administrimit të rrezikut në banka.
Udhëzuesi bazohet në parime dhe iniciativat e Bankës Qendrore Evropiane, si dhe praktikave më të mira të aplikueshme në vendet e Bashkimit Evropian.
Udhëzuesi parashikon kryerjen e vetëvlerësimeve nga ana e bankave, si dhe raportime në formate të përcaktuara, sipas skedulit kohor të mëposhtëm:
- deri në qershor 2025, bankat raportojnë çdo shmangie në praktikat e tyre nga pritshmëritë mbikëqyrëse të përshkruara në udhëzues, sipas formatit të dhënë në Aneksin 2 të udhëzuesit;
- deri në qershor 2025, bankat raportojnë planet e tyre të veprimit që synojnë adresimin në mënyrë progresive të këtyre pritshmërive, sipas formatit të dhënë në Aneksin 3 të udhëzuesit;
- deri në qershor 2026, bankat paraqesin përditësimin e planit të veprimit, sipas formatit të dhënë në Aneksin 4 të udhëzuesit.