Dokumenti per misionin e mbikeqyrjes
Miratuar me Vendimin e Këshillit Mbikëqyrës nr.71, datë 13.10.2010
Funksioni i mbikëqyrjes ushtrohet nga Banka e Shqipërisë, si bankë qendrore, në bazë të ligjit Për Bankën e Shqipërisë nr. 8269, datë 23.12.1997 dhe të ligjit Për bankat në Republikën e Shqipërisë nr. 9662, datë 18.12.2006.
Misioni i mbikëqyrjes
Banka e Shqipërisë, në zbatim të përgjegjësive ligjore si autoriteti mbikëqyrës i bankave dhe i subjekteve të tjera që kryejnë veprimtari financiare të licencuara prej saj:
-
synon të sigurojë veprimtari të shëndoshë bankare duke hartuar dhe zbatuar politika dhe një kuadër rregullator të përshtatshëm, fleksibël dhe në linjë me dinamikat e zhvillimit në vend, me qëllim ruajtjen e shëndetit të bankave, të stabilitetit të sistemit bankar e më gjerë, parandalimin e krizave në këtë sektor, si dhe mbrojtjen e depozituesve;
-
ndikon në stabilitetin e sistemit bankar dhe më gjerë, duke monitoruar zhvillimet në treg dhe rekomanduar masat e nevojshme, në mënyrë që subjektet e mbikëqyrura tiu përshtaten këtyre zhvillimeve dhe të administrohen në vazhdimësi sipas praktikave më të mira;
-
nxit disiplinën e tregut, duke kërkuar rritjen e transparencës për produktet dhe shërbimet bankare e financiare;
-
ndikon në zhvillimin e një konkurrence të ndershme në subjektet e mbikëqyrura, dhe synon të sigurojë trajtimin e barabartë të subjekteve të licencuara dhe të klientëve të tyre, në përputhje me politikat përkatëse mbikëqyrëse dhe rregullat në fuqi. Në këtë kontekst, priret nga parimi se llojet e ngjashme të rreziqeve financiare dhe çështje të tjera relevante të rregullimit duhet ti nënshtrohen të njëjtave rregulla në të gjithë segmentet e tregut për të kufizuar mundësitë për arbitrazh rregullator.
Banka e Shqipërisë, e realizon funksionin e saj mbikëqyrës, nëpërmjet:
-
ndërtimit dhe përmirësimit të vazhdueshëm të kuadrit rregullativ mbikëqyrës, në mënyrë që ai të jetë në harmoni me direktivat evropiane për një mbikëqyrje efektive, specifikat e vendit, si edhe në zbatim të praktikave më të mira;
-
rregullimit të hyrjes në treg të bankave potenciale, aksionerëve dhe administratorëve, me reputacion të mirë bazuar në burime informacioni të verifikueshme dhe të besueshme;
-
ndjekjes së një procesi mbikëqyrës efektiv dhe proaktiv duke zbatuar parime të një mbikëqyrjeje të orientuar nga rreziku nëpërmjet inspektimeve në vend dhe analizës së vazhdueshme në distancë të treguesve të subjekteve të licencuara, si edhe ndërmarrjes së veprimeve korrektuese për zgjidhjen e problemeve të ndryshme;
-
bashkëpunimit me subjektet e mbikëqyrura, me institucione të tjera financiare brenda vendit si edhe me autoritetet e huaja mbikëqyrëse e bankat e huaja që kanë hapur degë ose filialin e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë;
Në zbatimin e kërkesave të funksionit mbikëqyrës, Banka e Shqipërisë synon nivelet më të larta të integritetit, të profesionalizmit, të eficiencës, të transparencës dhe përmirësimit të vazhdueshëm të kapaciteteve mbikëqyrëse.