Instrumentet dhe Vendimet

Sqarim

Mbështetur në rregulloren “Për shtesat makroprudenciale të kapitalit", miratuar me vendimin nr. 41, datë 5.6.2019 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë (më tej, rregullorja 41/2019), Banka e Shqipërisë përcakton dhe shpall shtesat makroprudenciale të kapitalit (SHMAK). Këto janë: shtesa konservuese e kapitalit (KONS), neni 10; shtesa kundërciklike e kapitalit (KUNC), nenet 11 deri në 13; shtesa e kapitalit për bankat me rëndësi sistemike (SIST), që zbatohet ndaj bankave me rëndësi sistemike (BARS), neni 14; dhe shtesa e kapitalit për rrezikun sistemik (STRUK), neni 15. Sipas nenit 6, shtesa makroprudenciale e kapitalit përmbushet me instrumente të kapitalit bazë të nivelit të parë dhe shprehet në përqindje ndaj ekspozimeve të ponderuara me rrezik të bankës. Tërësia e shtesave makroprudenciale të kapitalit që zbatohen, përfaqëson shtesën e kombinuar makroprudenciale të kapitalit (SHKOMAK).

Rregullorja 41/2019 parashikon në nenin 10, paragrafi (1), tabela 2, që vlera e KONS-it, e cila duhet të përmbushet dhe të ruhet nga secila bankë në vitin 2023 është 2.0%.

Për KUNC-in, rregullorja 41/2019 parashikon në nenin 12, paragrafi 3, që Banka e Shqipërisë e shpall normën KUNC të aplikuar (AKUNC) për Shqipërinë, për herë të parë, deri në muajin qershor të vitit 2019 dhe më tej vijon ta kryejë këtë veprim çdo tre muaj. Për bankat që kanë ekspozime të përshtatshme të kreditit (EPSHK) në juridiksione të huaja, përcaktimi i AKUNC-it për secilin juridiksion bëhet sipas nenit 13. Kur nuk ka një përcaktim tjetër nga Banka e Shqipërisë, data efektive e zbatimit të KUNC-it për juridiksionin e huaj do të jetë ajo e përcaktuar nga autoriteti përgjegjës i atij juridiksioni. Norma e shtesës kundërciklike të kapitalit specifike për bankën (SPEKUNC), kufizohet nga vlerat e përcaktuara në nenin 11, paragrafi 7, tabela 3. Për llogaritjen e SPEKUNC-it, normat në përqindje të KUNC-it të zbatuara për ekspozimet në vendet e Bashkimit Evropian dhe të Zonës Ekonomike Evropiane mund të gjenden në faqen e internetit të Bordit Evropian të Rrezikut Sistemik (ESRB); ndërsa, normat e zbatuara për ekspozimet e kreditit të mbajtura në vendet që nuk janë të renditura në faqen e mësipërme mund të gjenden në faqen e internetit të Bankës së Rregullimeve Ndërkombëtare (BIS).

Për BARS dhe SIST, rregullorja parashikon në nenin 14, paragrafi 6, që BARS përcaktohen për herë të parë brenda muajit qershor 2019 dhe më tej përcaktohen një herë në vit, brenda tremujorit të parë të vitit (paragrafi 5). Në varësi të notës së rëndësisë sistemike të bankës, vlerat e SIST-it do të jenë sipas tabelës në paragrafin 7 ose deri në 1.5% për vitin 2023. Sipas paragrafit 9, Banka e Shqipërisë shpall listën e bankave të përcaktuara si BARS dhe SIST-et përkatëse. 

Për STRUK-un, rregullorja parashikon në nenin 15, paragrafi 7, që Banka e Shqipërisë e përcakton normën e STRUK-ut për herë të parë, pas muajit qershor 2019, pa vendosur një afat të përcaktuar. Deri aktualisht, Banka e Shqipërisë nuk e ka shpallur normën e STRUK-ut.

Për përcaktimin e shtesës makroprudenciale të kapitalit, rregullorja 41/2019 parashikon në nenin 16 që kjo kryhet nëpërmjet një vendimi të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.

Për shpalljen e shtesave makroprudenciale të kapitalit, rregullorja 41/2019 parashikon në nenin 17 që kjo realizohet përmes publikimit të vendimit të Guvernatorit dhe të informacionit shoqërues, në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë dhe me shkrim dërguar bankave.

Vendimi i Bankës së Shqipërisë

Për sa më sipër, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka marrë vendimin nr.4036, datë 01.10.2024 “Për caktimin e shtesës kunderciklike të kapitalit” (vendimi ‘4036/2024’).

Vlerat e shtesave makroprudenciale të kapitalit që duhet të përmbushin bankat dhe afatet e përmbushjes

Në zbatim të vendimeve të Guvernatorit të renditura në fund të kësaj faqeje, shtesa e kombinuar makroprudenciale e kapitalit (SHKOMAK) që duhet të përmbushet nga bankat sipas afateve, është e përbërë si më poshtë:

Nr.

SHMAK

Banka

Afati i përmbushjes

                 BARS

Nuk është BARS

1

SIST

Sipas përcaktimit në vendimin e Guvernatorit 1481/2024 (por jo me e madhe se 3.0%)

Nuk zbatohet

1 janar 2025

2

KONS

2.5%

2.5%

Në vazhdim

3

SPEKUNC

Sipas vendimit 4036/2024 dhe sipas llogaritjeve të bankave (por jo më e madhe se 3.00%)

 

Sipas vendimit  4036/2024 dhe sipas llogaritjeve të bankave (por jo më e madhe se 3.00%)

30 shtator 2025

4 = 1+2+3

SHKOMAK

KONS (2.5%) + SIST (0.5% ose 1.0% ose 1.5% ose 2.0% ose 3.0%) + SPEKUNC (0.25%) KONS (2.5%) + SPEKUNC (0.25%)

 

 

Paraqitja vizuale e shtesave makroprudenciale të kapitalit që janë zbatuar, jepet në grafik.

Sipas rregullores 41/2019, mospërmbushja e SHKOMAK-ut shoqërohet me kufizime në vlerën e pagesës së shpërndarjes për bankën, sipas nenit 8 dhe veprime të tjera, sipas nenit 9.