Guvernatori i Bankës së Shqipërisë
Në mbështetje të nenit 53 të ligjit nr.8269, datë 23.12.1997, "Për Bankën e Shqipërisë", Guvernatori vepron si Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Bankës së Shqipërisë, i ngarkuar për mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme të saj dhe si Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Ai përgjigjet përpara Këshillit Mbikëqyrës për zbatimin e vendimeve të miratuara, duke përfshirë zbatimin e politikës monetare, të kreditit dhe të këmbimeve valutore, si dhe për drejtimin, kontrollin dhe mbikëqyrjen mbi administrimin dhe operacionet e Bankës së Shqipërisë. Në veçanti, i njihen kompetencat për të kryer veprimet e kërkuara ose të gjykuara si të pranueshme prej tij për administrimin ose për operacionet e Bankës së Shqipërisë.
Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.
Z. Gent Sejko u emërua Guvernator i Bankës së Shqipërisë më 05 shkurt 2015 dhe është njëkohësisht edhe Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të saj. Ai u rizgjodh në këtë pozicion nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 24 shkurt 2022 , bazuar në Dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
GUVERNATORË TË MËPARSHËM TË BANKËS SË SHQIPËRISË:
Ardian Fullani (Tetor 2004 - Shtator 2014)
Prof. Dr. Shkëlqim Cani (Gusht 1997 - Tetor 2004)
Qamil Tusha (Prill 1997 - Gusht 1997)
Kristaq Luniku (Dhjetor 1994 - Prill 1997)
Dylber Vrioni (Shtator 1993 - Dhjetor 1994)
Ilir Hoti (Maj 1992 - Shtator 1993)