Marrëveshja Stabilizim Asocim
Detyrimet e Bankës së Shqipërisë në Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit
Më datë 12 qershor 2006 Republika e Shqipërisë nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) me Bashkimin Evropian, e cila do te hyjë në fuqi pas ratifikimit nga Kuvendi i Shqipërisë dhe parlamentet e Shteteve Anëtare. Marrëveshja ka për qëllim të afrojë Shqipërinë me BE duke parashikuar të drejta dhe detyrime reciproke dhe duke krijuar mekanizma për bashkëpunim në fushat me interes të përbashkët, duke pasur si qëllim final anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjatë zbatimit të MSA, Republika e Shqipërisë duhet të provojë jo vetëm se ndan të njëjtat vlera me BE por edhe se disponon kapacitetet e nevojshme për vënien në jetë të detyrimeve të rëna dakord në Marrëveshje.
Marrëveshja e Stabilizim Asociimit reflekton drejtimet kryesore të "Kritereve të Kopenhagenit" për anëtarësimin e një vendi aspirant në Bashkimin Evropian:
-
demokracia dhe shteti i së drejtës, përfshirë edhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e pakicave kombëtare;
-
krijimi i një ekonomie tregu funksionale, të aftë për të përballuar trysninë konkurruese;
-
adoptimi i acquis communautaire në të drejtën e brendshme dhe zbatimi i saj nëpërmjet strukturave të duhura administrative dhe gjyqësore.
Detyrimet e që rrjedhin nga MSA për Bankën e Shqipërisë mund të përmblidhen si më poshtë:
1. Stabiliteti makroekonomik
Stabiliteti makroekonomik siç përcaktohet në Kriteret e Kopenhagenit përfshin ndër të tjera:
-
Arritjen stabilitetit makroekonomik duke përfshirë edhe stabilitetin e çmimeve, financa publike të qëndrueshme dhe balancën e pagesave;
-
Ekuilibrin ndërmjet kërkesës dhe ofertës të mbështetur në bashkëveprimin e lirë të forcave të tregut, liberalizimin e çmimeve dhe të tregtisë;
-
Eliminimin e barrierave në treg (për sa i përket krijimit të sipërmarrjeve të reja dhe falimentimit të atyre ekzistuese);
-
Ekzistencën e një sistemi ligjor, përfshirë edhe rregullimin e të drejtave të pronësisë, zbatimin e ligjeve dhe të kontratave;
-
Konsensus të gjerë mbi çështjet kryesore ekonomike;
-
Një sektor financiar të zhvilluar, të aftë për shndërrimin e kursimeve në investime produktive.
2. Detyrimet që rrjedhin nga MSA ne fushën e shërbimeve financiare
a. Vendosja (neni 50)
Vendosja nënkupton, të drejtën për të ndjekur veprimtari ekonomike si persona të vetë-punësuar dhe për të krijuar sipërmarrje (për sa u përket shtetasve) si dhe të drejtën për të ndjekur veprimtari ekonomike duke ngritur filiale dhe degë në Shqipëri (për sa u përket shoqërive Komunitare).
Shqipëria detyrohet të lehtësojë fillimin e veprimtarive në territorin e saj nga shoqëri dhe shtetas Komunitar, duke u garantuar, me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes, shoqërive Komunitare, filialeve dhe degëve të tyre, trajtim jo më pak të favorshëm se ai i akorduar shoqërive të saj ose shoqërive të një vendi të tretë si dhe degëve dhe filialeve të tyre. Në këtë mënyrë, shoqërive Komunitare të vendosura në Shqipëri do tu jepet "trajtim kombëtar" ose trajtim i "kombit më të favorizuar", cilido qoftë më i favorshëm.
Gjithashtu, Palët angazhohen të mos miratojnë rregullime dhe masa të reja të cilat sjellin diskriminim për sa i përket vendosjes së shoqërive Komunitare ose shqiptare në territorin e tyre ose në lidhje me veprimtaritë e tyre, pas vendosjes, në krahasim me shoqëritë e tyre.
Për sa u përket shërbimeve financiare, pavarësisht nga dispozitat e tjera të kësaj Marrëveshjeje, një Palë nuk ndalohet që të marrë masa për arsye kujdesi paraprak, përfshirë mbrojtjen e investitorëve, depozituesve, personave të siguruar ose personave të cilëve u detyrohet një tarifë mirëbesimi nga një ofrues i shërbimeve financiare, ose për të siguruar integritetin dhe qëndrueshmërinë e sistemit financiar. Masa të tilla nuk përdoren si një mënyrë për të shmangur detyrimet e Palëve sipas kësaj Marrëveshjeje.
b. Ofrimi i shërbimeve (neni 57)
Shqipëria angazhohet të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të lejuar në mënyrë progresive ofrimin e shërbimeve nga shoqëritë ose shtetasit Komunitar, pa qenë nevoja për tu vendosur në territorin Shqiptar.
Pesë vjet pas hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje, Këshilli i Stabilizim-Asociimit (organi përgjegjës për monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes, i përbërë nga anëtarë të Këshillit të BE, Komisionit Evropian dhe Qeverisë Shqiptare) do të marrë masat e nevojshme për të zbatuar në mënyrë progresive detyrimin e mësipërm, duke marrë parasysh progresin i arritur në përafrimin e legjislacionit në fushën e shërbimeve financiare.
Gjithashtu, Shqipëria detyrohet të mos ndërmarrë masa ose veprime të tilla që i bëjnë kushtet për ofrimin e shërbimeve, nga shtetasit ose shoqëritë Komunitare, më kufizuese krahasuar me situatën ekzistuese ditën përpara hyrjes në fuqi të Marrëveshjes.
Neni 89 i Marrëveshjes rregullon vendosjen e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian në fusha parësore që lidhen me acquis communautaire në sektorët e veprimtarisë bankave dhe shërbimeve financiare. Palët bashkëpunojnë me qëllim ngritjen dhe zhvillimin e një kuadri të përshtatshëm për nxitjen e këtyre sektorëve në Shqipëri. Ky bashkëpunim do të fokusohet si në aspektet operacionale të përmirësimit të sektorit financiar, ashtu edhe në përmirësimin e kuadrit mbikëqyrës dhe synon të përfshijë edhe ofrimin e asistencës teknike dhe trajnimeve.
c. Parandalimi i pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit
Neni 82 i MSA përcakton se, Shqipëria dhe Komuniteti Evropian do të bashkëpunojnë në drejtim të parandalimit të përdorimit të sistemeve të tyre financiare për qëllime të pastrimit të pasurive që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale në përgjithësi dhe trafiku i drogës në veçanti, si dhe për qëllime të financimit të terrorizimit.
Në këtë drejtim, roli i Bankës së Shqipërisë, si institucion rregullues dhe mbikëqyrës i sistemit financiar në Shqipëri, është të forcojë sistemin e mbikëqyrjes të veprimtarive ndërkombëtare të bankave si dhe bashkëpunimin me autoritetet mbikëqyrëse të degëve dhe të filialeve të bankave të Shteteve Anëtare të Komunitetit Evropian të vendosura në Shqipëri. Si parakusht për funksionimin efektiv të këtij bashkëpunimi shërben ekzistenca e një kuadri të plotë rregullues në lidhje me shkëmbimin e të dhënave me autoritetet përgjegjëse Komunitare në lidhje me mbikëqyrjen e veprimtarive bankare në juridiksionet përkatëse.
Theksojmë se aktet që normojnë sekretin bankar mund të bëhen një pengesë për shkëmbimin e informacionit ndërmjet degëve dhe filialeve të bankave të vendosura në territorin e Shqipërisë apo të Komunitetit, Bankës së Shqipërisë dhe organeve mbikëqyrëse të Shteteve Anëtare. Për këtë arsye, është e nevojshme rregulloret që normojnë sekretin bankar në RSH të lehtësojnë shkëmbimin e lirë të këtij informacioni, duke garantuar në të njëjtën kohë edhe konfidencialitetin e të dhënave të transmetuara në këtë mënyrë.
d. Përafrimi dhe zbatimi i legjislacionit (neni 70)
Adoptimi dhe implementimi në mënyrën e duhur i acquis communautaire në sistemin vendas është kushti themelor për integrimin Evropian të shteteve që aspirojnë asociimin dhe më pas anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Në acquis communautaire që do të përafrohet në legjislacionin vendas bën pjesë legjislacioni parësor i BE (Traktatet themeluese dhe marrëveshjet ndërkombëtare në të cilat Bashkimi është palë), legjislacioni dytësor (rregulloret, direktivat, vendimet dhe rekomandimet), vendimet e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë dhe të Gjykatës së Shkallës së Parë, si dhe politikat Komunitare dhe parimet e përgjithshme të së drejtës në Bashkimin Evropian.
Shqipëria duhet të përpiqet të sigurojë që ligjet e saj ekzistuese dhe legjislacioni i ardhshëm të përafrohen gradualisht me acquis communautaire, duke siguruar në të njëjtën kohë që legjislacioni ekzistues dhe i ardhshëm të zbatohet dhe të vihet në zbatim në mënyrën e duhur.
Ky përafrim fillon në datën e nënshkrimit të Marrëveshjes dhe shtrihet gradualisht në tërë elementët e acquis communautaire. Gjatë fazës së parë (5 vjet nga hyrja në fuqi e MSA), përafrimi përqendrohet në elementët thelbësorë të acquis së Tregut të Brendshëm ashtu si dhe në fusha të tjera të rëndësishme ku bëjnë pjesë edhe shërbimet financiare. Gjatë fazës së dytë, përafrimi i legjislacionit do të shtrihet në fushat e tjera të tregut të brendshëm.
Theksojmë se përafrimi i legjislacionit të BE është një kusht i panegociueshëm. Duke qenë se synimi përfundimtar i Republikës së Shqipërisë është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, i vetmi faktor i negociueshëm në procesin e përafrimit të legjislacionit është afati i përfundimit të këtij procesi si dhe periudhat e mundshme tranzitore.
3. Lëvizja e kapitalit dhe pagesat rrjedhëse
Shqipëria dhe Komuniteti Evropian angazhohen të autorizojnë, në monedha të këmbyeshme lirisht, në përputhje me dispozitat e Nenit VIII të Neneve të Marrëveshjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar, çdo pagesë apo transfertë në llogarinë rrjedhëse të bilancit të pagesave ndërmjet Komunitetit dhe Shqipërisë.
Në lidhje me transaksionet në llogarinë kapitale dhe atë financiare të bilancit të pagesave, me hyrjen në fuqi e Marrëveshjes, Shqipëria dhe Komuniteti do të sigurojnë lëvizjen e lirë të kapitalit lidhur me investime direkte në shoqëritë e krijuara në përputhje me legjislacionin e vendit pritës, si dhe likuidimin ose riatdhesimin e këtyre investimeve dhe të çdo përfitimi që rrjedh prej tyre.
Për sa u përket transaksioneve në llogarinë kapitale dhe financiare të bilancit të pagesave, nga hyrja në fuqi të Marrëveshjes, Palët do të sigurojnë lëvizjen e lirë të kapitalit të kredive që lidhen me transaksionet tregtare ose ofrimin e shërbimeve ku merr pjesë një rezident i një prej Palëve, dhe huave financiare dhe kredive, me afat maturimi më të gjatë se një vit. Duke filluar nga viti i pestë i hyrjes në fuqi të Marrëveshjes, garantohet lëvizja e lirë të kapitalit për investimet e në letrat me vlerë dhe huatë financiare dhe kreditë me një afat maturimi më të shkurtër se një vit.
Gjithashtu, Shqipëria dhe Komuniteti Evropian angazhohen të mos vendosin kufizime të reja në lëvizjen e kapitalit dhe pagesave rrjedhëse ndërmjet rezidentëve të Komunitetit dhe Shqipërisë si dhe mos shtrëngojnë kufizuese ekzistuese.
Në rrethana të jashtëzakonshme, kur lëvizjet e kapitalit ndërmjet Komunitetit dhe Shqipërisë shkaktojnë ose kërcënojnë të shkaktojnë vështirësi serioze për funksionimin e politikave të kursit të këmbimit ose politikave monetare, Komuniteti dhe Shqipëria përkatësisht, mund të marrin masa mbrojtëse lidhur me lëvizjet e kapitalit ndërmjet Komunitetit dhe Shqipërisë për një periudhë jo më të gjatë se një vit në qoftë se masa të tilla janë më se të nevojshme.
Gjatë tri viteve të para nga momenti i hyrjes në fuqi të MSA, Palët do të marrin masa që lejojnë krijimin e kushteve të nevojshme për zbatimin e mëtejshëm gradual të rregullave të Komunitetit për lëvizjen e lirë të kapitalit.