Marrëdhëniet ndërkombëtare

Në këtë seksion mund të informoheni mbi marrëdhëniet e Republikës së Shqipërisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Grupin e Bankës Botërore. Këtu mund të njiheni me njoftime për shtyp, materiale studimore, raporte, etj., që institucionet ndërkombëtare publikojnë për Shqipërinë.

Marrëdhëniet me Fondin Monetar Ndërkombëtar

Republika e Shqipërisë është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar që prej datës 15 tetor të vitit 1991.

Kuota e saj u rrit në nivelin 139.3 milion SDR (ose 0.03 % të totalit) në muajin shkurt të vitit 2016 si rezultat i hyrjes në fuqi të reformës së vitit 2010 mbi rishikimin e përgjithshëm të kuotave dhe reformën e Bordit Ekzekutiv të FMN. Tashmë, me rritjen e kuotës së saj, Shqipëria zotëron 2.851 vota (ose 0.06% të shumës së përgjithshme të votave të të gjithë anëtarëve të FMN-së). 

Shqipëria bën pjesë në konstituencën italiane,  në të cilën ndodhen edhe Italia, Greqia, Portugalia, Malta dhe San Marino. Kjo konstituencë ka një total 207.906 vota ose rreth 4.13% e shumës së përgjithshme të votave të të gjithë anëtarëve të FMN-së.

Ajo përfaqësohet në Bordin Ekzekutiv të Fondit Monetar Ndërkombëtar nga Drejtori Ekzekutiv i konstituencës, z. Domenico G. Fanizza, ndërsa në Bordin e Guvernatorëve përfaqësohet nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko.


Marrëdhëniet me Grupin e Bankës Botërore

Republika e Shqipërisë është anëtare e Grupit të Bankës Botërore që prej vitit 1991.

Shqipëria ndodhet në të njëjtën konstituencë me Italinë, Greqinë, Portugalinë, Maltën, San Marino dhe Timorin Lindor.

Ajo përfaqësohet në Bordin e Drejtorëve të Grupit të Bankës Botërore nga Drejtori Ekzekutiv i konstituencës, z. Matteo BUGAMELLI (Itali), ndërsa në Bordin e Guvernatorëve përfaqësohet nga Ministri i Financave.