Ligji nr.8269, datë 23.12.1997 "Për Bankën e Shqipërisë"
Neni 1
1 - Banka e Shqipërisë është banka qendrore e Republikës së Shqipërisë dhe vepron në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
2 - Banka e Shqipërisë është person juridik publik me qendër në Tiranë.
3 - Banka e Shqipërisë, brenda kompetencave të përcaktuara në këtë ligj, është e pavarur nga çdo pushtet tjetër për realizimin e objektivit kryesor të veprimtarisë së saj, si dhe në ushtrimin e detyrave të ngarkuara. Çdo subjekt është i detyruar të respektojë pavarësinë e Bankës së Shqipërisë, të mos kërkojë të influencojë te ndonjë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës për të cënuar detyrimet e tij ndaj Bankës së Shqipërisë, si dhe të mos ndërhyjë në veprimtaritë e Bankës së Shqipërisë.
Neni 2
1 - Banka e Shqipërisë përgjigjet para Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë.
2 - Jo më vonë se gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe në intervale gjashtëmujore pas kësaj, Banka e Shqipërisë i dorëzon Kuvendit Popullor dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë një deklaratë, e cila përmban:
a) vlerësimin mbi arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve për periudhën e mëparshme gjashtëmujore, si dhe parashikimin për gjashtë muajt e ardhshëm;
b) vlerësimin e politikës monetare, të kreditit dhe të këmbimeve valutore të zbatuar nga Banka e Shqipërisë për periudhën e mëparshme gjashtëmujore;
c) përshkrimin dhe vlerësimin e politikave monetare, të kreditit dhe të këmbimeve valutore që do të ndiqen nga Banka e Shqipërisë gjatë gjashtë muajve të ardhshëm;
ç) përshkrimin e parimeve që do të ndiqen nga Banka e Shqipërisë për hartimin dhe zbatimin e politikës monetare, të kreditit dhe të këmbimeve valutore gjatë dy viteve të ardhshëm ose për një periudhë kohe që e cakton Banka e Shqipërisë.
Neni 3
1. Objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë është të arrijë dhe të ruajë stabilitetin e çmimeve.
2. Banka e Shqipërisë, në përputhje me objektivin e saj kryesor dhe mbi bazën e tregut të brendshëm bankar, nxit dhe mbështet zhvillimin e regjimit dhe të sistemit të këmbimeve valutore, tregun e brendshëm financiar, sistemin e pagesave, si dhe ndihmon në përmirësimin e kushteve monetare e kredituese, në mbështetje të stabilitetit dhe të zhvillimeve ekonomike të vendit.
3. Objektivat e tjerë të Bankës së Shqipërisë, të kushtëzuara nga objektivi kryesor i saj, duhet të nxisin ruajtjen e likuiditetit, aftësinë paguese dhe funksionimin normal të sistemit bankar të bazuar në parimet e tregut.
4. Detyrat kryesore të Bankës së Shqipërisë janë si më poshtë:
a) Të hartojë, të miratojë dhe të zbatojë politikën monetare të Republikës së Shqipërisë, në përputhje me objektivin e saj kryesor;
b) të hartojë, të miratojë dhe të zbatojë regjimin e këmbimit valutor, si dhe politikën e kursit të këmbimit të valutave në Republikën e Shqipërisë;
c) të licencojë ose të revokojë këtë licencë bankave dhe të mbikëqyrë veprimtarinë e tyre bankare, me qëllim që të sigurojë stabilitetin e sistemit bankar;
ç) të disponojë dhe të administrojë rezervat e saj valutore;
d) të veprojë me cilësinë e bankierit, këshilltarit dhe të agjentit fiskal për Qeverinë e Republikës së Shqipërisë;
dh) të nxisë funksionimin normal të sistemit të pagesave.
5. Çdo objektiv dhe detyrë tjetër që i caktohet Bankës së Shqipërisë kushtëzohet me arritjen e objektivit të saj kryesor.