Operacionet e Tregut të Hapur
Operacionet e tregut të hapur janë ekskluzivitet i Bankës së Shqipërisë, e cila vendos llojin e instrumentit që do të përdorë si dhe kushtet përkatëse lidhur me ekzekutimin e tyre. Sipas qëllimit të përdorimit të tyre, operacionet e tregut të hapur ndahen në: operacioni kryesor i tregut, operacione rregulluese dhe operacione strukturore. Marrëveshjet e riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes përdoren si operacioni kryesor i tregut dhe si operacione rregulluese, ndarje e cila ka për bazë kohëzgjatjen e instrumentit. Ndërsa shitblerjet me të drejta të plota përdoren vetëm në operacionet strukturore.
MARRËVESHJET E RIBLERJES (REPO)
Marrëveshjet e riblerjes janë operacione të tregut të hapur me anë të së cilave Banka e Shqipërisë shet letra me vlerë, duke marrë përsipër t’i blejë ato sipas kushteve të rëna dakord paraprakisht me një bankë të nivelit të dytë, me qëllim zvogëlimin e përkohshëm të likuiditetit në sistemin bankar. Ndërsa marrëveshjet e anasjellta të riblerjes janë operacione të tregut të hapur me anën e së cilave, Banka e Shqipërisë blen letra me vlerë duke marrë përsipër t’i shesë ato sipas kushteve të rëna dakord paraprakisht me një bankë të nivelit të dytë, me qëllim rritjen e përkohshme të likuiditetit në sistemin bankar.
Letrat me vlerë që tregtohen nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve të riblerjes dhe atyre të anasjellta, janë të blera paraprakisht nga Banka e Shqipërisë ose nga bankat e nivelit të dytë në tregun primar apo në tregun sekondar dhe janë të llojit bono thesari dhe obligacione të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Në marrëveshjet e riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes, e drejta e pronësisë së letrës me vlerë i transferohet kreditorit (blerësit) pas rënies dakord për kryerjen e veprimit të kundërt nëpërmjet ri-transferimit të letrës me vlerë debitorit(shitësit) në një datë të caktuar në të ardhmen.
Shuma e kërkesës për pjesëmarrje në ankand është jo më e vogël se 10 (dhjetë) milionë lekë dhe mund të shtohet me shumëfisha prej 10 (dhjetë) milionë lekësh.
Diferenca midis çmimit të blerjes dhe të riblerjes të një letre me vlerë në një marrëveshje riblerjeje korrespondon me interesin për t’u paguar për likuiditetin e marrë hua (ose për t’u përfituar për likuiditetin e dhënë hua) për të gjithë kohëzgjatjen e marrëveshjes. Me fjalë të tjera, çmimi i riblerjes të letrës me vlerë përfshin edhe interesin e detyruar..
OPERACIONI KRYESOR I TREGUT
Operacioni kryesor i tregut realizohet nëpërmjet marrëveshjes (të anasjelltë) të riblerjes me maturim shtatë ditë që është instrumenti kryesor i Bankës së Shqipërisë për zbatimin e politikës monetare. Qëllimi i përdorimit të saj është administrimin afatshkurtër të likuiditetit të sistemit bankar, me synim stabilizimin e normave të interesit të tregut. Përcaktimi i normës së interesit të marrëveshjeve të riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes me maturim njëjavor përcakton qëndrimin e politikës monetare.
Karakteristikat themelore të marrëveshjes (të anasjelltë) së riblerjes mund të përmblidhen si më poshtë:
- Realizohet nëpërmjet ankandit me shumë të përcaktuar dhe me shumë çmime ose ankand me çmim fiks dhe me shumë të papërcaktuar.
- Ankandi për këto lloj marrëveshjesh organizohet çdo javë dhe është i tipit standard.
- Norma fikse e interesit të marrëveshjes (të anasjelltë) së riblerjes miratohet nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. Kjo normë shërben si nivel maksimal për marrëveshjet e riblerjes ose minimal për marrëveshjet e anasjellta të riblerjes për ankandet me shumë çmime.
- Maturimi i këtij instrumenti është shtatë ditë.
OPERACIONET RREGULLUESE
Për ekzekutimin e operacioneve rregulluese të tregut të hapur përdoren marrëveshjet (e anasjellta) e riblerjes me maturim një ditë, një muaj dhe tre muaj. Qëllimi i përdorimit të tyre është rregullimi i luhatjeve të papritura në treg. Tiparet operacionale të marrëveshjeve (të anasjellta) të riblerjes me maturim njëditor, një muaji dhe tre muaj janë:
- Realizohen nëpërmjet ankandit të shpejtë dhe/ose procedurave dypalëshe me frekuencë të papërcaktuar.
- Ankandet janë të llojit me shumë të përcaktuar, ndërkohë që interesi përcaktohet nga pjesëmarrësit.
- Banka e Shqipërisë ka të drejtë të refuzojë kërkesat, interesi i të cilave është i devijuar nga interesi i tregut në ditën që kryhet ankand.
- Maturimi i marrëveshjes (të anasjelltë) të riblerjesështë nga një ditë, deri në tre muaj.
- Në vartësi të kushteve të likuiditetit, me qëllim orientimin e normave afatshkurtra të interesit, Banka e Shqipërisë mund të ndërhyjë në treg krahas operacionit kryesor të tregut , me operacione rregulluese me frekuence të përcaktuar.
OPERACIONET STRUKTURORE
Instrumenti që përdoret për kryerjen e operacioneve strukturore të tregut të hapur janë shitblerjet me të drejta të plota. Qëllimi i përdorimit të këtyre operacioneve është rregullimi i strukturës së likuiditetit të sistemit bankar.
TRANSAKSIONET E SHITBLERJEVE ME TË DREJTA TË PLOTA
Transaksionet e shitblerjeve me të drejta të plota janë shitjet ose blerjet me të drejta të plota të letrave me vlerë. Këto operacione kanë efekt të përhershëm në tregun e parasë dhe nuk janë transaksione të kthyeshme. Përdoren vetëm si operacione me qëllim rregullimin e strukturës së tregut.
Transaksionet e shitblerjeve me të drejta të plota përfaqësojnë transferimin e plotë të të drejtës së pronësisë nga shitësi tek blerësi, duke mos përfshirë transaksionin e anasjelltë. Në mënyrë të përmbledhur tiparet operacionale të transaksioneve me të drejta të plota janë:
- Marrin formën e shtimit të likuiditetit në rastin e blerjeve me të drejta të plota ose të pakësimit të likuiditetit në rastin e shitjeve me të drejta të plota.
- Zhvillohen me frekuencë të papërcaktuar.
- Ekzekutimi i tyre, nëpërmjet ankandeve të shpejta dhe procedurave dypalëshe, miratohet paraprakisht nga Komiteti i Zbatimit të Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë.
- Objekt i transaksioneve të shitblerjeve me të drejta të plota janë bonot e thesarit me maturim bonove të thesarit me afat maturimi deri një vit dhe me periudhë të mbetur në maturim jo më pak se shtatë ditë. Gjithashtu dhe objekt i transaksioneve mund të jenë edhe letra të tjera me vlerë, të cilat duhet të jenë instrumente borxhi, të kenë kredibilitet të lartë, të jenë të formës book-entry, e që bëhen objekt i këtyre transaksioneve me vendim të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Gjithsesi aktualisht asnjë letër tjetër me vlerë nuk është miratuar si objekt i këtyre transaksioneve përveç bonove të thesarit të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.