Edukimi në Muze
Kur u krijua Banka e Shqipërisë? Cilat janë funksionet kryesore të saj dhe si e realizon ajo objektivin e stabilitetit të çmimeve? Cila është historia pas emrit Lekë?
Të gjitha këto pyetje marrin përgjigje nëpërmjet hapësirave të ndryshme edukative që ofron Muzeu i Bankës së Shqipërisë.
Holli operacional i Bankës së Shqipërisë
Në hollin historik, prezantohet historia e institucionit të bankës qendrore në Shqipëri, roli i saj në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe në garantimin e stabilitetit financiar të vendit, si dhe funksionet e saj kushtetuese. Si shumë hapësira të Muzeut, edhe ky holl ofron mjete të ndryshme audio-vizuale komunikimi si filma, aplikacione dhe kuiz-e..
Dhoma e Hologramës
Dhoma e Hologramës është konceptuar për të shfaqur objekte virtuale në hapësirë, në 3 dimensione, të projektuara në 360 gradë. Përmes kësaj teknologjie, shfaqet një rrëfenjë monedhash antike, e cila të çon tek qytetërimet e lashta që kanë banuar viset e sotme shqiptare, për të na dëshmuar mbi monedhat që kanë prerë dhe përdorur paraardhësit tanë.
Dhoma e studentit
Dhoma e Studentit është një ambient edukativ me informacion dedikuar të rinjve, por jo vetëm. Në këtë dhomë, vizitorët mund të marrin informacion audio-vizual mbi tema ekonomiko-financiare përmes guidave të animuara apo të provojnë njohuritë e tyre në kuiz-et tona.
Dhoma e leksioneve & kinemasë
Kjo dhomë është një hapësirë dedikuar takimeve dhe prezantimeve për çështje me interes, për grupet e ndryshme në fokus të aktiviteteve dhe programeve edukative të Bankës. Në këtë ambient shfaqen edhe filma edukativë e dokumentarë me karakter ekonomik dhe financiar.
Dhoma e Evropës
Dhoma e Evropës prezanton funksionet dhe rrugëtimin historik që kanë përshkruar BE-ja, Banka Qendrore Evropiane, Eurozona, si dhe vendosja e marrëdhënieve Shqipëri-BE, përmes filmave, hartave dhe teksteve të ekspozuara me ilustrime grafike. Gjithashtu, kjo hapësirë trajton edhe aspekte të ndryshme të monedhave dhe kartëmonedhave euro.
Dhoma e Fëmijëve
Dhoma e fëmijëve është konceptuar si një hapësirë shumëfunksionale, ku vizitorët e vegjël të Muzeut mund të lexojnë e të luajnë individualisht me aplikacionin interaktiv "Derrkuci Çufo mëson të kursejë", të provojnë njohuritë e tyre në kuiz-in "Torta e Çufos", të punojnë e të argëtohen me fletët e shumta të punës ose të marrin pjesë të organizuar në grup në një nga aktivitetet tona.