Banka e Shqipërisë në pak fjalë
Banka e Shqipërisë është banka qendrore e shtetit shqiptar. Objektivi kryesor i aktivitetit të saj është ruajtja e stabilitetit të çmimeve, duke kontribuar kështu, në zhvillimin ekonomik, e si rrjedhim, në mirëqenien e vendit. Për arritjen e këtij objektivi, Banka e Shqipërisë harton dhe zbaton politikën monetare, regjimin e këmbimit valutor dhe politikën e kursit të këmbimit të Republikës së Shqipërisë.
Gjithashtu, ajo kryen edhe një sërë funksionesh mbështetëse të cilat janë:
- Emetimi i parasë. Banka e Shqipërisë ka të drejtën ekskluzive për emetimin e kartëmonedhës dhe të monedhës kombëtare me kurs ligjor dhe furnizimin e rregullt të ekonomisë me para brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
- Politika monetare. Banka e Shqipërisë harton, miraton dhe zbaton politikën monetare të vendit, për realizimin e objektivave të së cilës ajo përdor instrumentet e duhura monetare.
- Stabiliteti financiar. Banka e Shqipërisë ka përgjegjësinë të garantojë që sistemi bankar në veçanti dhe ai financiar në përgjithësi, të jetë i qëndrueshëm dhe eficient.
- Këmbimi valutor. Banka e Shqipërisë është përgjegjëse për hartimin, miratimin dhe zbatimin e regjimit të këmbimit valutor, si dhe të politikës së kursit të këmbimit në Republikën e Shqipërisë.
- Mbikëqyrja. Banka e Shqipërisë ka të drejtën ekskluzive të licencojë ose revokojë licencën për ushtrimin e veprimtarisë bankare, si dhe rregullon e mbikëqyr bankat tregtare që zhvillojnë aktivitet në Shqipëri.
- Rezerva valutore. Banka e Shqipërisë mban dhe administron rezervat valutore të Republikës së Shqipërisë.
- Agjent fiskal dhe këshilltar i qeverisë. Një tjetër funksion i Bankës së Shqipërisë është që të veprojë në cilësinë e bankierit, të këshilltarit dhe të agjentit fiskal për Qeverinë e Republikës së Shqipërisë.
- Sistemet e pagesave. Një nga detyrat kryesore të Bankës së Shqipërisë është të nxisë dhe të garantojë funksionimin normal të sistemit kombëtar të pagesave.
- Statistikat. Statistikat zyrtare zënë një vend të veçantë në ekonominë shqiptare, pasi ato ndikojnë në rritjen e cilësisë së analizave dhe në marrjen e vendimeve sa më realiste.